Frymëmarrja bashkohej në tym të duhanit
Dhe era lodronte me perdet në kuzhinë.
Vështrimi i humbur në cep të tavanit.
Kjo natë kundërmonte patjetër rutinë…
E frikshme kjo natë, të frikshëm mendimet,
Dhe jeta e bukur, magjepse ndër fjalë.
Rutinë do të thotë të mbysësh veprimet
Në gropën e heshtjes të futesh i gjallë…
E del përsëri nga gropa e heshtjes
Në jetën magjepse që frymën të merr.
Rreshtore rutine mes ngrënies e fjetjes
Me sytë nga tavani dhe perdet në erë!
Të dua o jetë, o shtrigë e dëshirës
Më mbushe me ëndrra, e n’ëndërr më le
Tavani që duket përtej errësirës
Dhe trupi që endet ndër mijra përse!
Të dua o shpresë, o tempull i jetës.
Enigmë e së nesërmes, q’askush nuk të di
Tavani i përshtatej më shumë të vërtetës
Dhe era që frynte anonte nga Ti!